
Në përpjekjet e vazhdueshme për të mbrojtur hapësirën tonë digjitale, duhet të adresojmë me vëmendje kërcënimin në rritje të “ransomware” (programeve shantazhuese) — një lloj softueri keqdashës që bllokon qasjen në sistemin kompjuterik ose në të dhënat, duke kërkuar në këmbim pagesë për dekriptimin e informacionit të kriptuar.
Duke qenë se sulmet e kësaj natyre janë në rritje të vazhdueshme, shpesh me pikënisje nga neglizhenca ose pakujdesia e përdoruesit, të kuptuarit se çfarë është “ransomware”, si mund të infektohen sistemet dhe masat që duhet të marrim të gjithë së bashku, është jetike në parandalimin e këtyre problematikave.
Çfarë është “Ransomware”?
“Ransomware” është një softuer keqdashës që kripton skedarët në një pajisje kompjuterike, duke i bërë ato të pa-aksesueshme nga përdoruesit. Kriminelët kibernetikë më pas shantazhojnë përdoruesit me kryerjen e pagesave në këmbim të çelësave të dekriptimit.
Sulme të tilla të cilat mund të godasin çdo përdorues ose organizatë janë në rritje, duke çuar në humbje të konsiderueshme financiare dhe bllokim të punës.
Si Mund Të Infektohen Kompjuterët?
- Email-et Phishing: Email-e mashtruese që në pamje të parë duken legjitimë por që përmbajnë në brendësi të tyre skedarë të bashkëngjitur ose adresa interneti të dëmshme.
- Faqet e Kompromentuara të Internetit: Të vizituarit ose shkarkimi nga faqet e infektuara të internetit mund t’i hapë rrugën instalimit të një “ransomware” në sistemin tuaj.
- Drive të Jashtëm: Përdorimi dhe lidhja e drive-ve të infektuara (USB flash, hard disk i jashtëm, kartë memorje) me kompjuterin tuaj, gjithashtu mund të krijojë kushtet për infektimin me “ransomware”.
- Programet Kompjuterike të Piratuara: Përdorimi i softuerë-ve të paautorizuar ose të piratuar (me “crack”) mund të rrisë në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e infektimit me “ransomware”, pasi këto programe shpesh përmbajnë “malware” (softuer-e të krijuara për të shkaktuar dëme në kompjuter/ server/ rrjet kompjuterik, përmes ekzekutimit të veprimeve të paautorizuara të cilat mund të përfshijnë vjedhjen, kriptimin ose fshirjen e të dhënave sensitive, ndryshimin ose përvetësimin e funksioneve bazë kompjuterike dhe monitorimin e aktivitetit të përdoruesve pa lejen e tyre).
Masat Parandaluese:
- Jini Skeptikë ndaj Email-eve: Mos hapni skedarët bashkëngjitur mesazheve email dhe mos klikoni në adresa interneti në brendësi të tyre, kur këto mesazhe vijnë nga burime të panjohura ose të dyshimta. Nëse keni dyshime, kontaktoni personelin e IT-së përpara se të vazhdoni më tej.
- Softuer Anti-Virus: Sigurohuni që softueri anti-virus të jetë aktiv dhe i përditësuar.
- Kopjet Rezervë të të Dhënave: Mbani kopje rezervë të të dhënave rregullisht në një drive të jashtëm ose në “cloud”. Kështu, nëse sistemi komprometohet, nuk do të humbni të dhëna të rëndësishme.
- USB ose Drives të Jashtëm: Mos përdorni drive të jashtëm ose USB nëse nuk dini origjinën ose nëse dyshoni që mund të jenë të virusuara.
- Programet Kompjuterike të Piratuara: Mos instaloni dhe përdorni softuer-e të paautorizuara ose të piratuara, pasi ato paraqesin rrezik të shtuar për sigurinë.
Nëse Dyshoni për një Infektim nga “Ransomware”:
- Shkëputuni nga Rrjeti: Menjëherë shkëputni pajisjen e infektuar nga rrjeti kompjuterik për të parandaluar përhapjen e “ransomware”.
- Raportoni: Kontaktoni menjëherë personelin e IT-së. Mos u përpiqni të kryeni pagesa apo të hiqni “ransomware” vetë.
- Ndiqni Udhëzimet e Personelit të IT: Personeli i IT-së do ju udhëzojë mbi hapat e nevojshëm që duhet të ndërmerren për të adresuar çështjen në mënyrë të sigurt.

Vigjilenca juaj dhe veprimi i shpejtë në përballje me kërcënime të mundshme janë mbrojtja më e mirë kundër “ransomware”. Nëse do të keni ndonjë dyshim rreth një skedari, email-i, apo faqeje interneti, tregohuni të kujdesshëm dhe konsultohuni me personelin e IT-së.
Nëse nuk dispononi ekspertizë në fushën e IT-së ose profesionistë të IT-së në ekipin tuaj, mos hezitoni të kontaktoni me IT Albania.
IT Albania janë ekspertë në ofrimin e zgjidhjeve të sigurisë kibernetike, duke përfshirë mbrojtjen kundër sulmeve të “ransomware”, menaxhimin e rrjeteve kompjuterike dhe shërbime të tjera të IT-së që janë jetike për mbrojtjen e organizatës suaj në mjedisin digjital të sotëm.
Duke u bazuar në njohuritë dhe përvojën e gjerë, IT Albania mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të naviguar sfidat e sigurisë kibernetike dhe për të garantuar që sistemet tuaja të jenë të mbrojtura në mënyrën më efikase të mundshme.
Së bashku, mund të mbrojmë hapësirën tonë digjitale dhe të vazhdojmë punën, pa ndërprerje.